Home » Home » HISTORIKU

HISTORIKU I SHKOLLES

Vitin 2007-2008, nis rrugën gjimnazi jopublik “Shkolla Internacional”, i cili dallohet si më i spikaturi, duke formësuar tiparet dhe vizionin drejt së ardhmes.  Gjate vitit 2007, nismëtarët, që sot janë administratorët e saj, i drejtojnë kërkesën përkatese MASH-it për hapjen e shkollës së mesme dhe në përgjigje të saj, për herë të parë, merr miratimin për aprovimin e kësaj kërkese nga Z.Genc Pollo Ministër, me “Urdhërin Nr.345 datë 02.10.2007”.

Nxënësit në shkollën e porsa hapur gjejnë kushte të cilat falë investimit të bërë, përmbushin kërkesat e kohës. Kështu puna filloi me laboratorë fizike, kimie, biologjie, një sallë kompjuterash, palestër, bibliotekë, me mjete të ndryshme për lëndën e historisë, gjeografisë etj.

Kujdesi ishte i madh edhe në përzgjedhjen që u bë për krijimin e stafit të parë të mësuesve. Vitin e pare në klasën e IX ishin 38 nxënës (24 ferma), të ndarë në dy paralele të para, në çeljen e gjimnazit “Shkolla Internacional”, por të fundit e ciklit 8 vjecar. Këta nxënës vazhduan në vitin shkollor 2008-2009 në klasën e X.

Në vitin shkollor 2009-2010,për herë të parë hapen dy klasa të dhjeta , që vinin nga cikli 9 vjeçar ,ndërsa bëhet ndarja në dy profile, natyror dhe shoqëror të klasës së XI  duke u rritur kështu numri i nxënësve në 68.

Krahas rritjes së numrit të nxënësve, problematikat që duheshin zgjidhur  ishin evidente dhe të larmishme, sepse për herë të parë niste rrugëtimin kurrikula e re e gjimnazit.

Sfida ishte reale dhe konkrete. Ne sot ndihemi krenarë kur hedhim sytë në 4 vitet e punës tonë dhe shohim risitë që kemi sjellë. Matura jonë e parë e vitit shkollor 2010-2011, e cila hap siparin e historisë së shkollës tonë, hap gjithashtu edhe siparin e sukseseve. Ajo u rendit e para ne rang rrethi, për rezultatet e arritura në provimet e Maturës Shtetërore. Rreth 75% e nxënësve të saj, u vlerësuan me notat 9 dhe 10 në provimin e letërsisë me mësuese Adelina Ibrahimi, rreth 70% e nxënësve në provimin e matematikës u vlerësuan me notat 9 ose 10 me mesues Sulejman Saliaj. Matura jonë e parë e vitit shkollor 2011-2012, ku për herë të parë u implementua Kurrikula  e Re e Gjimnazit, me rezultatet 33% te vlerësuar me notën 10  në lëndën e letërsisë me mësuese Darina Minga, apo rreth 30% të vlerësuar me notën 10 në lëndën e matematikës me mësues Aleksander Prifti, na rendisin me siguri në vende nderi në rang rrethi , duke treguar edhe një herë se jemi në rrugëtim të mbarë drejt një shkolle me arritje serioze e kërkesa rigoroze.

Përmendim projektin e parë të një pune serioze dhe me vlera arsimore, edukative, qytetare në lëndën e letërsisë, si dhe daljen pas saj te gazetës së parë të  shkollës , që tani është bërë një organ serioz për më tepër dinjitoz për institucionin që ajo përfaqëson. Do të përmendnim kontributin e të gjithë nxënësve, mësuesve, që me punën e tyre të përkushtuar rriten kërkesat dhe vlerën e gazetës së shkollës.

Përmendim aktivitetet madhore në lëndën e letërsisë për krijim letrar dhe recitim, në muajin e letërsisë , në bashkëpunim me DAR Vlorë dhe “Lidhjen e shkrimtarëve dhe artistëve vlonjatë”  ku nxënësit e shkollës tonë Brikena Boraku dhe Pranvera Shehaj zunë vendet e para në krijim dhe recitim.

Është për t’u evidentuar, vendi i parë për dy vite rrjesht nga nxënësja Anxhela Kapllani dhe Amarildo Bilaj i konkursit të organizuar nga Bashkia Vlorë në festën e 14 Shkurtit.

Përmendim debutimin brilant dhe fituesen e një prej bursave  te “Kolegjet e botës së bashkuar”, nga nxënësja Iden Kalemaj për të vijuar studimet në Itali.

Është për t’u vënë në dukje fakti që në saje të rezultateve të arritura, nxënës të shkollës tonë gjatë këtyre dy viteve kanë aplikuar dhe kanë përfituar bursa stdimi në Itali, Bullgari, Greqi, Amerikë ,Kanada, në universitete prestigjioze.

Ndihemi të mikluar, kur shohim dhe bëjmë të prekshme punimet e e nxënësve në fushën e informatikës, pjesmarrjen e tyre serioze në projekte të ndryshme,për më tepër të çertifikuar nga institucione serioze te liçencuara , siç është ai i nxënësve maturantë nga IMB (INSTITUTI I MODELIMEVE NË BIZNES)  per  programin Alpha, apo punimet interesante dhe me vlerë në fotoshop etj.

Vizioni plotësohet me shkollën e re (Kompleksi arsimor Internacional), ku synimet dhe idetë janë të qarta. Ne jemi të sigurtë për të ecur me hapin e kohës , madje t’i paraprijmë përmes kredos “Me ne Europa nuk është më një ëndër”

Viti shkollor 2011-2012, nis në ndërtesën e re , në një nga investimet më të fuqishme në arsimin vlonjat dhe më tej.

  • Krenohemi me të drejtë sepse ky ndërtim sjell, shesh të shtruar, ambjente shlodhëse, ku dominon pamja nga deti dhe brezi pyjor i gjelbëruar
  • Në ambjentet e shkollës të pajisur me ndriçim maksimal, sipas parametrave bashkëkohorë, të pajisur me një sistem ngrohje-ftohje modern,me një linjë interneti dhe telefonie në çdo kat , në çdo klasë, në çdo sallë.
  • Në mjedise mësimore me kushte bashkëkohore në ndriçim, në m2 për nxënës , të pajisur me dërrasa manjetike që shumë shpejt do të funksionojnë edhe dixhitale, teknologjia më e fundit e përdorimit
  • Në laboratorë informatike, ku nga një që kishim, sot kemi pesë të tillë, që do të përdorohen jo vetëm për informatikën por edhe për gjuhën e huaj, apo ato të fizikës, kimisë, biologjisë,etj.
  • Në sallën e pushimit ,të pajisur më së miri.Në mensën për fëmijët e kopështit, dhe nxënësit që bëjnë studimin në shkollë,ose që duan të marrin diçka në kohën e pushimit, furnizuar me perime të freskëta nga prodhimet në teritorin e shkollës
  • Në atë që është më e rëndësishmja, mësimdhënie sipas standarteve bashkëkohore, të vendosura nga MASH,ku vetvlerësimi i brendshëm është në metodën e punës tonë,që nxënësit të bëhen të zotë , të përparojnë, të ndërtojnë, të kontribuojnë e të gëzojnë një Shqipëri të integruar europiane.

Është kjo arsyeja që në vëmendjen e punës tonë , për realizimin e misionit dhe vizionit që shkolla ka ,përzgjedhja e stafit pedagogjik ngelet parësore dhe kusht për realizimin e synimit dhe objektivave që ka shkolla jonë, ndaj viti shkollor 2012-2013 na gjen me një staf cilësisht të arrirë, të përkushtuar, premtues për të patur rezultate të larta që e bejnë shkollën tonë pararojë të arsimit në rreth.

Aktualisht rreth 30%- 50% e nxënësve të çdo klase janë me rezultate 9-10, që premtojnë dhe garantojnë një shkollë elitare me rezultate premtuese.

Gjimnazi ynë jopublik, synon një përgatitje të shëndoshë në bangot e shkollës , që nxënësit tanë të përparojnë e të gëzojnë një Shqipëri të integruar europiane, që çdo nxënës të marë maksimumin e mundshëm të rezultatit që ofron kurrikula e re , nëpërmjet përzgjedhjes së atyre lëndëve si matematika e thelluar, letërsia e thelluar,TIK i thelluar , ekonomi e thelluar, etj. ,për vazhdimin me sukses të arsimit të lartë, sipas dëshirës  edhe për tëfilluar një veprimtari në tregun e punës.

Në shkollën tonë mund të studjojnë të gjithë nxënësit , që në përfundim të klasës së 12-të , nuk kalojnë moshën 21 vjeç dhe që kanë rezultate mbi mesataren nga shkolla që vijnë. Proçesi mësimor zhvillohet konformë kurrikulës së re , miratuar nga MASH.

T ë paktën dy herë në vit , drejtoria e shkollës zhvillon testime në lëndë dhe mësues të ndryshëm  për të parë dhe garantuar rezultatet e arritura nga çdo nxënës dhe çdo mësues.

Shkolla jonë është një qëndër arsimore ku implementohen teknologji të reja , bashkëkohore në mësimdhënie , bazë materiale, didaktike, laboratorike, etj.

Lidhja dhe bashkëpunimi me Universitetin “Marin Barleti” , ofron kontribute inkurajuese

  

Regjistri Elektronik

“Alpha-School”

Shkolla jonë prej këtij viti ofron një shërbim të ri dhe ekskluziv për ju prindër. Nëpërmjet programit “Alpha School” (Regjistri elektronik online)realizuar nga “Alpha Soft sh.p.k” , tashmë të gjithë aktivitetin shkollor të studentit do të keni mundësi t’a ndiqni nga kudo që jeni,në kohë reale,nga kompjuteri apo edhe celulari juaj. Regjistri elektronik online,ështe një sistem që synon të afrojë familjen me aktivitetin shkollor dhe njëkohësisht të ofroj disa shërbime ekskluzive për shkollën që e përdor këtë sistem.Sistemi është i instaluar në server online dhe kjo garanton hyrjen 24 orë në 24 në 7 ditë të javës.Për të përdorur këtë sistem është e nevojshme vetëm kompjuteri dhe linja e internetit,gjithashtu për një mirëfunksionim të programit,si browser këshillohet “Google Chrome”.Programi është në gjuhën shqipe,i thjeshtë dhe shumë intuitiv për tu përdorur.Për të hyrë në program mjafton të klikoni në një nga zonat përkatëse si më sipër.